Projekti per konsulence per Kompanine Dauti Komerc Cash and Carry

Qendra për zhvillimin e biznesit (QZHB) - UEJL, përfundoi me sukses projektin për konsulencë me kompaninë Dauti Komerc - projekt, ky i cili zgjati 3 muaj dhe u përkrah nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim - BERZH.
 
Qëllimi i këtij projekti, respektivisht i konsulencës, ishte kryesisht matja e kënaqësisë së klientëve dhe organizimi i brendshëm në Dauti Komerc (Cash & Carry) Tetovë, ngaqë, kënaqësia e klientëve, si gjithnjë, mbetet faktori më kritik për suksesin e një kompanie. Së këndejmi, mendimi i konsumatorëve, si dhe opinionet e tyre në lidhje me shërbimet e ofruara nga ana e kompanisë Dauti Komerc, ishin mjaft të rëndësishme gjatë hulumtimit tonë, për faktin se, këto të fundit (mendimet dhe opinionet), më tej, u morën edhe si bazë për përmirësimin e produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga ana e kompanisë Dauti Komerc. Po ashtu, përgjatë hulumtimit, ekipi i QZHB-së, përpos matjes së kënaqësisë së klientëve, arriti me saktësi të identifikoj edhe vështirësitë gjatë procesit të dërgimit të mallrave, cilësinë e produkteve, ecurinë e shitjeve, respektivisht përparësitë ndaj konkurrentëve, identifikimin e temave kyçe për trajnimin e punonjësve, dhe shumë më tepër.
 
Në këtë projekt, përpos konsultantëve lokal doc. dr. Jusuf Zeqiri - profesor në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë dhe  z. Lumni Ajvazit - drejtor i QZHB-së, u angazhua edhe eksperti gjerman, z. Norbert M. Marx, i cili posedon një përvojë të bujshme në lëmin e konsultimeve dhe trajnimeve.

Qendra për zhvillimin e biznesit (QZHB) luan rolin e ndërmjetësuesit të biznesit me Universitetin e Evropës Juglindore. Kjo qendër ofron trajnime menaxhuese dhe konsultime biznesi për individë, ndërmarrje dhe institucione tjera publike dhe private duke inkuadruar teknologji të informatikës dhe komunikimit.

Na Kontaktoni

T +389 44 356 251
E-mail: seeu-bdc@seeu.edu.mk

Adresa
Ilindenska 335, 1200 Tetovë Maqedoni

© Business Development Centre 2017